Maskat të detyrueshme nga e enjtja/ Monitorime rigoroze të gjithë hapësirave publike

Maskat të detyrueshme nga e enjtja/ Monitorime rigoroze të gjithë hapësirave publike

TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një mesazh drejtuar qytetarëve, bëri sot apel për respektimin e masave antiCovid dhe mbajtjen e detyrueshme të maskës nga dita e enjte me të dalë nga shtëpia.

“Shumë shtete kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e përhapjes së COVID. Edhe Shqipëria po merr masa që të pengohet përhapja masive e virusit”, tha Veliu.

Ai theksoi se “duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse, e cila ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infeksionit”.

“Të mbrojmë popullatën dhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë maskën se sa t’i nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes”, tha ai.

“Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës”, tha ai.

Ai ftoi qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi.

“Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre. Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm”, tha ai.

/r.e/ Burimi: ata.gov.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *