5 gjëra që do të kisha dashur t’i dija përpara se të filloja universitetin – këshilla nga studentë!

5 gjëra që do të kisha dashur t’i dija përpara se të filloja universitetin – këshilla nga studentë!

1. Planifikoje kohën tënde.

Ky është hapi më i rëndësishëm kur je student. Gjej një kohë, një herë në javë, që t’i hedhësh në orar të gjitha përgjegjësitë e tua javore dhe çdo gjë tjetër. Shiko se cilat janë përparësitë e tua për atë javë. Këto janë gjëra rreth të cilave duhet të planifikosh pjesën tjetër të kohës që ke në dispozicion. Qëndroji besnik planit dhe përpiqu të bësh sa më pak kompromis që të jetë e mundur. Një tjetër mënyrë për të mbajtur planin është që të vendosësh çdo gjë në orar në mëngjes, para fillimit të ditës. Në këtë mënyrë, ti do të jesh një student më i organizuar dhe i suksesshëm.

2. Gjej në kohë të gjithë literaturën e nevojshme.

Përpiqu menjëherë, që javën e parë, për t’u pajisur me literaturën që të duhet për atë semestër. Versioni më i lirë është t’iu kërkosh shokëve nga vitet e tjera nëse kanë literaturë për shitje. Nëse nuk gjen, atëherë fotokopjoje materialin (kur kjo gjë është e lejuar). Antarësohu në bibliotekën e fakultetit. Bëj gjithçka që të kesh të gjithë materialin e nevojshëm për të punuar. Profesori nuk do të të tolerojë në provim me justifikimin:  “Nuk kisha libër”.

3. Ndiq leksionet në mënyrë të rregullt.

Natën e kaluar ishe në party, duke kërcyer deri në orën 3 të mëngjesit. Ja, edhe zilen e orës 7:00 kishe mangut! Mirëpo, s’ka buldozer që të lëviz nga krevati! Parajsa është larg vetëm një të zgjatur të krahut. Gishti shtyp me saktësi butonin e alarmit dhe dhoma bie në qetësi. Triumfator, kthehesh në krahun tjetër. Je i zoti i vetes! Kështu e humbet një leksion apo një seminar, humbet dhe një të dytë, të tretë, të katërt dhe, para se ta kuptosh, gjendesh në provim duke kopjuar ca hieroglife nga shënimet e të tjerëve. Përtej shakasë. Leksionet dhe seminaret janë shumë të rëndësishme, sepse të ndihmojnë të përqendrohesh në pikat kryesore dhe ta përvetësosh më lehtë materialin. Prandaj vërja veshin profesorit, nënvizo pikat që po thekson ai, shëno përkufizimet dhe përmbledhjet që bën ai. Bëj pyetje për gjërat që i ke të paqarta. Do ta kesh shumë më të lehtë në provim dhe profesorit do t’i dukesh “fytyrë e njohur”. Mos lër asnjë orë mësimi pa ndjekur dhe pa mbajtur shënime të mira. Bëje përparësi këtë gjë. Do t’ia shikosh vlerën në provim dhe provimet janë prapa derës.

4. Studio në mënyrë të rregullt.

Këtë ma kanë thënë që nga klasa e parë e shkollës fillore. Ma merr mendja edhe ty ta kanë thënë. S’ka ngelur kush pa ma thënë: mamaja, babi, tezja, xhaxhai, madje edhe kushëriri nga Australia. Gjëja më e rëndësishme është të gjesh metodën që të përshtatet më mirë. Dikush pëlqen dhe ka rendiment po të mësojë në mëngjes, dikush në mbrëmje, dikush pëlqen mësojë në natyrë, dikush mund të mësojë në një kafene. Dikush mban shënime, dikush vetëm lexon materialin, një tjeter nënvizon, dikush tjetër bën copa letrash me shënime dhe i përsërit gjatë ditës. Në thelb, vendndodhja dhe koha varen nga ti dhe nga karakteri yt. Gjej metodën që të përshtatet dhe studio çdo ditë rregullisht. Në këtë mënyrë, do të flesh i qetë natën para provimit dhe nuk do të përpiqesh të mësosh një libër prej 300 faqesh brenda natës.

5. Merr zemër.

Të jesh në universitet dhe të studiosh me sukses është një punë e vështirë. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe (përfshirë dhe mua disa vite më parë) janë në një telash të madh. Sa më shpejt të arrish në këtë përfundim, aq më të lehtë do ta kesh. POR, të jesh student i suksesshëm, nuk është e pamundur, madje nuk është e pamundur që bashkë me të të kesh edhe një jetë të përmbushur plot me miq e shokë dhe argëtim. Përdor çdo moment për të gjetur diçka të re dhe për të zgjeruar njohuritë e tua. Mos mëso sa për të kaluar provimin, por përpiqu të marrësh maksimumin nga secila lëndë. Qerase veten pas një simestri të suksesshëm. Festo! Shko në kinema, luaj buling, bli këpucët që të pëlqejnë. Mbi të gjitha, çlodhu dhe merr energji për semestrin tjetër. Të uroj suksese dhe fat të mbarë! DO T’IA DALËSH!

1 comment

Ndonje informacion se kur dmth ora e sakr duhet te paraqitemi ne cfar klasa duhet te shkojm se asnje ide nuk kemi do sdim asgje si do zhvillohey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *