MENDJEN NË MËSIM APO TE VIRUSI?! HAPJA E SHKOLLAVE, MES FRIKËS PËR SHËNDETIN DHE PROBLEMATIKAVE TË PANUMËRTA

MENDJEN NË MËSIM APO TE VIRUSI?! HAPJA E SHKOLLAVE, MES FRIKËS PËR SHËNDETIN DHE PROBLEMATIKAVE TË PANUMËRTA

Na ndajnë vetëm pak orë nga rihapja e shkollave në të gjithë territorin e vendit, ndërkohë që pjesa më e madhe e nxënësve dhe e prindërve të tyre ndihen të frikësuar për këtë fakt. Ndryshe nga çdo herë tjetër ky rrugëtim nis me një pikëpyetje të madhe, si do të shkojë deri në fund ky vendim për rikthimin në banka në mes të pandemisë?

Askush nuk ndihet i sigurt për hapjen e institucioneve të arsimit dhe çdo aktori i rëndon një barrë e madhe mbi supe. Ministria e Arsimit dhe qeveria po ndërmarrin përsipër një rrezik të madh, që ndoshta mund të rezultojë fatal, nxënësit e mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm në çdo moment për të respektuar rregullat anti-Covid, ndërsa prindërit çdo ditë duhet të sigurojnë mjetet mbrojtëse për fëmijët. Pothuajse në të gjithë botën po rihapen shkollat, por na duhet ta pranojmë se vendi ynë nuk ndodhet në të njëjtën situatë me shumicën e shteteve të tjera.

Të gjithë e dimë shumë mirë se Shqipëria nuk ka siguruar asnjëherë as kushtet më minimale në shkolla dhe është e vështirë që diçka e tillë të ndodhë tani që qeveria nuk ka prezantuar asnjë buxhet shtesë për kohën e pandemisë. Problematikat që shoqërojnë hapjen e shkollave janë të shumta, ndaj askush nuk mund të na sigurojë se hapja e tyre nuk do të rëndojë më tepër situatën në të cilën ndodhemi.

Kushtet në institucionet e arsimit

Rujtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, janë dy kushtet bazë për të mos u rrezikuar nga infektimi me Covid-19. Disa drejtues shkollash në shtetet fiqnje si për shembull në Itali, kanë ngritur shqetësimin se në shumë institucione distanca nuk mund të ruhet, sepse nuk ka klasa mjaftueshëm dhe nuk janë siguruar banka një vëndëshe për nxënësit. Për këtë arsye ata kanë kërkuar shtyrjen e hapjes së shkollave deri sa gjithçka të jetë në rregull, ndërsa në vendin tonë duket se kjo gjë nuk i shqetëson aspak drejtuesit.

Zhvillimi ynë nuk mundet kurrsesi të krahasohet me atë të shteteve fqinje, ndaj nuk mund të mendojmë se ne i kemi marrë të gjitha masat për ruajtjen e distancës. Të gjithë e dimë se shkollat në vendin tonë kanë kaluar përtej kapaciteteve dhe për këtë arsye qeveria u detyrua të vendosë që orari mësimor të zhvillohet me 4 turne gjatë kësaj kohe. Për nxënësit që duhet të studiojnë gjatë turnit të fundit me siguri mësimdhënia nuk do të rezultojë aspak efektive, sepse kjo gjë është e vërtetuar edhe shkencërisht se rendimenti bie me kalimin e orëve.

Sakaq, shumica e shkollave në Shqipëri prej kohësh nuk sigurojnë as kushtet më minimale të higjienës, si mungesa e ujit të rrjedhshëm, sapunëve e detergjentëve të tjerë. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë gjë, duke u shprehur vetëm se shkollat që nuk sigurojnë kushtet nuk do të hapen. Sa do të ndodhë kjo gjë pritet ta shohim.

Masat e ministrisë thjesht propagandë

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin për hapjen e shkollave duke e cilësuar si nisjen e një aventure të re të rreizkshme për shqiptarët. Ai është shprehur se masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë janë thjesht propagandë, sepse vetë qeveria nuk mundet të sigurojë asgjë për nxënësit e mësuesit, sepse duhen miliona euro çdo muaj për të blerë maska, detergjentë e çdo gjë tjetër.

“Problemi është që për mijëra shkolla që ka Shqipëria, kjo përkthehet në disa miliona Euro çdo muaj: detergjentë, maska (çdo mësues ka nevojë për të paktën 2 maska në ditë), sanitarë shtesë për çdo shkollë, etj. Në rast nevoje, mësimi duhet të zhvillohet online. Ka familje që nuk kanë mundësi të paguajnë pajisje smart dhe lidhje me internet. Miliona të tjera nevojiten…

Të nxjerrësh vendime dhe udhëzime është e lehtë! Të bësh video propagandistike po ashtu është e lehtë!

Kur këto “masa” mbeten thjesht në kufijtë e propagandës, rrezikojmë një situatë të dytë si ajo ku qytetari paguan vetë për testin, pacienti paguan vetë për trajtimin në shtëpi, familjari paguan për respiratorin CPAP në spital, kurse komiteti mburret se mjekimi për COVID po jep rezultate të kënaqshme…”, shprehet Dasho.

Udhëzimi për hapjen e shkollave

Në sondazhin e zhvilluar para disa ditësh nga Iconstyle, 71% e nxënësve u shprehen se nuk janë të qartë për udhëzuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa 23% thanë se ndihen mjaftueshëm të informuar. Në fakt udhëzuesi është i cunguar, sepse nuk caktohet qartë se si do të ruhet distanca mes nxënësve, si do të lëvizin në korridore dhe nëse do të ketë një staf shtesë që do t’i ndihmojë për respektimin e rregullave.

Rritja e çmimit të transportit

Institucionet private të arsimit kanë përfituar nga situata për të rritur çmimet për transportin e nxënësve. Burime të sigurta pranë Iconstyle treguan se fatura e transportit është dyfishuar duke e çuar nga 3000 lekë në 6000 lekë. Prindërit shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke shtuar se nuk ka asnjë lloj kontrolli nga ana e Ministrisë së Arsimit, asaj të Transportit e po ashtu as nga Bashkia e Tiranës.

Ata thonë se drejtoritë e shkollave justifikohen duke thënë se nuk kanë mundur të bëjnë marrëveshje me kompanitë e transportit dhe se i mbajnë me shpresë se situata mund të zgjihdet pas disa muajsh. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Covid-19 shkaktoi një krizë të thellë financiare, ndaj nuk është e logjikshme që në këtë kohë të vilen të ardhura shtesë nga disa shërbime që nuk ofrojnë asgjë më tepër nga ajo ç’ofronin më parë.

Shqipëria shumë hapa larg edhe nga Kosova

Kosova ka studiuar mirëfilli planin e hapjes së shkollave, duke nisur që nga udhëzuesi i detajuar, i cili është hartuar në bashkëpunim me UNICEF, Fondacionin Freidrich Ebert etj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka deklaruar ditën e sotme se institucioni i tij ka siguruar gjysmë milionë maska për shkollat, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk ka blerë asnjë të tillë për nxënësit apo mësuesit.

Ministri Likaj është shprehur se është siguar buxhet shtesë prej 12.5 milionë euro për mësimin online, ndërsa në vendin tonë nuk flitet fare për buxhet shtesë. Mbi 1,500 mësues do të testohen për Covid-19 para nisjes së mësimit, kurse në Shqipëri nuk është bërë ende diçka e tillë.

Gjithashtu ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka publikuar shifrat e fëmijëve të prekur me Covid. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë regjistruar 334 raste me COVID-19 te fëmijët deri në moshën nëntë (9) vjeçare. Ndërkohë 493 raste pozitive janë paraqitur te grupmoshat nga 10 deri në 19 vjeç. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri duket se ka rënë në gjumë dhe as nuk e ka në mend të zbulojë shifra të tilla, që mund t’ju japin një pasqyrë më të qartë prindërve për të vendosur nëse duhet t’i rikthejnë apo jo fëmijët në shkollë.

Source: iconstyle.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *