Afatet dhe hapat si të merrni kopjen e korrigjuar të testeve

Afatet dhe hapat si të merrni kopjen e korrigjuar të testeve

Maturantët që nuk janë të kënaqur me notat e marra në testin e gjuhës së huaj, si dhe letërsisë e gjuhës shqipe mund të aplikojnë për të marrë një kopje të korrigjuar të fletës së përgjigjeve të secilës lëndë.

Me daljen e notave të këtyre provimeve, tashmë maturantët mund të tërheqin kopjen e korrigjuar të testit, procedurat e të cilës duhet të kryhen në portalin online e-albania, www.e-albania.al .

Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se maturantët kanë afat deri në datën 26 qershor për të bërë aplikimin online për kopjen e korrigjuar të testit.

“Në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2020, të gjithë maturantët/kandidatët që do të japin provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje, kanë të drejtë të kërkojnë kopjen e fletëpërgjigjes, pas përfundimit të të gjitha provimeve. Çdo maturant/kandidat që kërkon kopjen fletëpërgjigjes përkatëse, duhet të kryejë aplikimin online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të fletëpërgjigjes të Maturës”, deri në datën më 26 qershor, për provimin e lëndës  së gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe dhe letërsisë”, bën me dije Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Kërkesat për fotokopje të fletëpërgjigjes mund të kryhen online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”, brenda afateve të përcaktuara.  Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të nisë kopjen e testit për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati, në portalin e-albania. Maturantët do të njoftohen edhe me e-mail, në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje. Marrja e fletëpërgjigjes së testeve të korrigjuara online nuk do të shoqërohet me asnjë pagesë.

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për dy testet e tjera, të matematikës dhe lëndës me zgjedhje, për të cilat bëhet me dije se korrigjimet kanë përfunduar dhe po përgatitet shpallja e notave brenda këtyre ditëve. Por pavarësisht kësaj të drejte që kanë maturantët, autoritetet e QSHA bëjnë me dije se nuk do të ketë rivlerësim të testit.

Maturantët kanë përmbyllur tashmë ciklin e provimeve të Maturës Shtetërore 2020 dhe do të bëhen gati për të vijuar më tej me procedurat e konkurimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private në vend.

Sipas kushteve të përcaktuara në vendimin e miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *