Matura nuk shtyhet, ja ç’duhet të mësoni vetë në shtëpi!

Matura nuk shtyhet, ja ç’duhet të mësoni vetë në shtëpi!

Ndërprerja e procesit mësimor për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga përhapja e koronavirusit të ri, si dhe nga fatkeqësia natyrore e tërmetit tre muaj më parë nuk do të ndikojë në shtyrjen e provimeve të Maturës Shtetërore 2020.

Pas shqetësimeve të shumta të ngritura nga maturantët rreth paqartësive në zhvillimin e Maturës, autoritetet e dikasterit të Arsimit vijojnë të sqarojnë se nuk do të ketë shtyrje të provimeve, teksa u kanë kërkuar maturantëve që të shfrytëzojnë këtë periudhë të qëndrimit në shtëpi për të bërë përgatitjet përkatëse rreth këtyre provimeve.

Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen që duhet të kenë veçanërisht në lëndët që prej tyre konsiderohen si më të vështirat, siç janë matematika, kimia dhe biologjia, do të vijohet me ofrimin e leksioneve online, teksa është shtuar edhe një orar shtesë vetëm për këtë kategori që do të jepet çdo ditë në Radiotelevizionin Shqiptar rreth orës 13:30. Ndërkohë që në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit janë botuar edhe dy gudiat me të cilat maturantët duhet të vijojnë përgatitjet për tre provimet e detyruara dhe lëndën më zgjedhje. Testet e Maturës Shtetërore 2020 do të zhvillohen në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës, gjuhës së huaj, si dhe lëndës me zgjedhje.

Gjuha e huaj

Testi i gjuhës së huaj ndërtohet mbi bazën e dy aftësive dhe vlerësimin e njëkohshëm të tyre, që janë: të kuptuarit dhe të shprehurit me shkrim. Nëpërmjet testit të kësaj lëndë, nxënësi do të vlerësohet për realizimin e kompetencave gjuhësore të sipërpërmendura. Përqindja e peshës që zë çdo kompetencë në test është si në vijim: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar rreth të cilit do të orientohen 50 për qind e pyetjeve të tezës, përdorimi i drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që zë rreth 28 për qind të pyetjeve të testit, si dhe të shkruarit që zë rreth 22 për qind të pyetjeve.

Për gjuhën e huaj do hartohen dy formate testi dhe gjashtë lloje testesh, që janë: test në gjuhën angleze në nivelin B2 për gjimnazet, test në gjuhën angleze në nivelin B1 për shkollat e mesme sportive, artistike dhe profesionale, test në gjuhën frënge në nivelin B2 për gjimnazet, test në gjuhën italiane në nivelin B2 për gjimnazet, test në gjuhën gjermane në nivelin B1 për gjimnazet, si dhe test në gjuhën spanjolle në nivelin B1 për shkollën e mesme të gjuhëve të huaja.

Gjuha shqipe dhe letërsia

Sipas ekspertëve të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, maturantëve që marrin pjesë në provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, në test iu kërkohet të zhvillojnë përgjigje që lidhen me katër tekste (dy tekste joletrare dhe dy tekste letrare), si dhe të analizojnë tiparet e këtyre teksteve në thellësi dhe në detaje. Më konkretisht, maturantët duhet të zhvillojnë përgjigje kritike, interpretime të ndryshme, si dhe të shpjegojnë se në ç’mënyrë autorët e ndryshëm e përdorin gjuhën, strukturat dhe formën e saj për të krijuar kuptime të caktuara në një vepër (letrare ose jo). Gjithashtu duhet të përdorin edhe një shumëllojshmëri detajesh nga teksti për të shpjeguar dhe saktësuar idetë e tyre, si dhe të tregojnë se si tekstet i takojnë një tradite të caktuar gjuhësore dhe letrare, si dhe në ç’mënyrë ndikimet historiko- sociale dhe kontekstet kulturore ndikojnë në vlerësimin e një teksti.

Matematika

Testi I matematikës do të përmbajë ushtrime të përfshira në programet orientuese të maturës për tri nivelet e të nxënit, duke filluar nga pyetjet për nivelin më të dobët e deri tek nxënësit me arritje të larta. Ky test mbështetet në të mësuarin me kompetenca, me problema dhe situata nga jeta reale. Nëpërmjet testit të lëndës së matematikës në Provimin e Maturës Shtetërore, nxënësi do të vlerësohet për realizimin e kompetencave matematikore nëpërmjet 5 tematikave kryesore, që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), statistika dhe probabiliteti.

Lëndët me zgjedhje

Struktura e testit për lëndët me zgjedhje vlerësohet në total me 60 pikë, të cilat janë të ndara në këtë mënyrë: 20 pyetje me alternative që kanë një total prej 20 pikësh, si dhe 13 pyetje të hapura, të cilat kanë një total prej 40 pikësh. Testi I secilës lëndë me zgjedhje do ndërtohet në mënyrë të tillë që të jenë të përfshira të tri nivelet e vështirësisë: niveli bazë (40 për qind e përmbajtjes së testit), niveli mesatar (40 për qind) dhe niveli i lartë (20 për qind). Njëkohësisht, edhe shpërndarja e pikëve në test bëhet në varësi të përqindjeve që zë çdo nivel vështirësie.

p.k\DITA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *