Koha për të parë përtej notës, pse universitetet në Shqipëri po dështojn?

Koha për të parë përtej notës, pse universitetet në Shqipëri po dështojn?

Zhvillimet dinamike që ka sot tregu në kontekstin e globalizimit, inovacionit, zhvillimit të vrullshëm teknologjik, si dhe dinamizmi me të cilën lëvizin kërkesat e sofistikuara të konsumatorit, bëjnë që kompanitë e prodhimit apo të ofrimit të shërbimeve të jenë vazhdimisht nën presionin pozitiv për të qenë të shpejta dhe me standarde të larta në ofrimin e produkteve apo shërbimeve. Kjo kërkon që këto kompani të kenë një forcë punëtore, staf apo thënë ndryshe kapital human të kualifikuar. Por a nxjerrin universitetet shqiptare studentë të cilët janë të përshtatshëm për kërkesat specifike të tregut të punës dhe nuk kërkojnë që punëmarrësi të shpenzojë kohë të gjatë për kualifikim e tyre. Është më se e kuptueshme që një student, kur mbaron studimet e tij, nuk është se ka aftësitë e një individi që ka vite në tregun e punës, por kjo nuk do të thotë se nuk ka njohuri shumë të mira teorike, si dhe njohuri e informacion të situatave praktike. Këto do ta ndihmojnë këtë student të përshtatet më shpejt në tregun e punës dhe, nga ana tjetër, do t’i kursejë kohë dhe para kompanive që do t’i shpenzonin nëse një individ do të ishte i pakualifikuar në nivelin e duhur. Pra është kosto e kompanive nëse marrin njerëz të patrajnuar, t’i përshtatin në tregun e punës dhe pastaj ata të jenë funksionalë për këto njësi. Është detyrë e universiteteve që të nxjerrin studentë të kualifikuar jo vetëm nga pikëpamja teorike, por edhe nga ajo praktike. Mirëpo çfarë ndodh në universitetet shqiptare? A përqendrohen në shtimin e informacionit lidhur me situatat praktike? Si funksionon realisht tregu i punës? Për shembull një student që kryen studimet për Financë a e ka të qartë sesi operon realisht sistemi bankar, kompanitë e sigurimeve, si funksionojnë në realitet ndërmjetësit financiarë apo mbetet vetëm në kuadrin teorik të përshkrimit të funksioneve të këtyre institucioneve.

Fatkeqësisht vihet re se në realitetin shqiptar janë të pakta ato universitete që mundohen të kenë njëlloj bashkëpunimi të ngushtë me tregun e punës apo me realitetin përtej auditorëve. Për më tepër shpeshherë mësimdhënësit (profesorati) krijojnë një lloj “rehatie”, “komoditeti” dhe e ka të vështirë të dalin nga guaska e ekspertizës së tyre teorike, duke krijuar kështu superioritet ndaj studentit në pikëpamjen teorike dhe e kanë edhe më të vështirë që të “update”-ohen me të rejat më të fundit qoftë të fushës së tyre të ekspertizës apo zhvillimet teknologjike.

Kjo qasje e pedagogut nuk i krijon kushtet dhe nuk e shtyn studentin drejt hapjes në drejtim të tregut, por e struk atë drejt thellësive teorike, duke i minimizuar informacionet ekstra kurrikulare për ta vendosur më saktë në treg pas përfundimit të shkollimit.

Nga ana tjetër, dhe mënyra sesi akademikët apo universitetet në përgjithësi vlerësojnë studentin lë për të dëshiruar. Ata fokusohen pothuajse vetëm te testimi i njohurive lidhur me lëndën përkatëse duke humbur kështu mundësinë për të vlerësuar “background”-in apo dijen në përgjithësi që ky student ka. Nuk ka instrumente që e vlerësojnë këtë gjë. Këto në shumicën e rasteve mungojnë. Në realitetin shqiptar, dhe jo vetëm, një student është i mirë nëse merr një notë të mirë dhe e kundërta, një student është i dobët nëse merr një notë të tillë. Por harrojmë më të rëndësishmen, tablonë e përgjithshme, atë se çfarë është në gjendje të bëjë ky student, çfarë zotëron në gamën e gjerë të informacionit të sotëm duke ngelur dhe vlerësuar kështu vetëm një aspekt të ngushtë teorik. Shoqërisë shqiptare i duhet sot më shumë se një student me nota të larta, një student që ka një “background” të zhvilluar dhe është i prirur për të qenë një qytetar i mirë nesër.

“The Independet”, një nga gjigantët mediatikë botërorë, shkruan pikërisht një artikull në qershor të vitit 2018, ku kërkonte dhe bënte thirrje të shkëputjes nga vlerësimi i studentit bazuar vetëm te nota, pra te zotërimi i lëndës nga pikëpamja teorike. Sipas këtij artikulli dhe komentet rreth tij kërkohej që vlerësimi të jetë më gjithëpërfshirës, duke i dhënë pikërisht prioritet asaj që quhet “background” studentor. Në këtë kontekst do të kemi një vlerësim real të situatës së tij, aq më tepër sot ku informacioni merret në kohë reale dhe jo vetëm me nga një burim.

Nëse bëjmë një krahasim me dy a tri dekada më parë, ku pedagogu ishte nga të pakta dritare informacioni dhe shikohej me admirim, mund të themi se kjo kohë ka ikur, pasi sot informacioni merret në kohë reale dhe jo vetëm me nga një burim, por nga shumë të tillë falë zhvillimit teknologjik. Ajo që i ngelet mësimdhënësit është pikërisht të bëjë interesante dhe interaktive orën mësimore duke nxitur dhe krijuar afeksion për dijen, metodologjitë e të mësuarit dhe transformimin e individit në një qytetar të mirë me informacion të avancuar, përveç të qenët profesionistë.

Vetëm kështu do të kemi zhvillimin e duhur të studentit dhe një lehtësim të tregut të punës për kapital human. Pra duhet të shohim përtej notës. Ajo sot ka humbur rëndësinë dhe domethënien e dikurshme. Dashuria për dijen, guximi, informacioni, vullneti apo dëshira për të ecur përpara bëjnë që rrugët drejt suksesit të jenë më të lehta. /Arbi Agalliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *